22.05.2020

E drejta e qytetarëve për protesta demokratike në kushtet e emergjencave dhe masave shtrënguese

Autori i Editorialit: Visar Rushiti

E drejta e qytetarëve për protesta demokratike është e drejtë absolute dhe e patjetërsueshme e garantuar me Kushtetutë në botën demokratike. Kjo e drejtë themelore zakonisht praktikohet nëpërmes protestave të cilat zakonisht organizohen përmes tubimeve publike të qytetarëve. Këto tubime mund të kufizohen nën disa masa duke përfshirë orën policore, emergjencat apo situatave tjera të veçanta të cilat ndërmerren nga ekzekutivi.  

Mirëpo, kjo nuk i ndalon qytetarët të shprehin protestën e tyre në forma tjera dhe kjo varet nga format kreative të shprehjes së protestës. Nëse e marrim Kosovën si shembull në kontekstin aktual të pandemisë COVID-19, qytetarët në pamundësi për tu mbledhur në hapësira publike vendosen që të protestojnë në një kohë të caktuar në ballkone “duke rrahur gjëra metalike dhe krijuar zhurmë” si shprehje e pakënaqësisë ndaj zhvillimeve politike në Kosovë.

E drejta për protesta demokratike  përfshihet edhe në mekanizmat ndërkombëtar përfshirë këtu Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në rastin e Kosovës, konventa në fjalë është drejtpërdrejtë e aplikueshme në Kosovë, por liria e tubimit është e garantuar edhe me Kushtetutë dhe me Ligjin për tubimet publike i miratuar nga Kuvendi i Kosovës.  Në diskutimin virtual të organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) mbi këtë temë, panelistët në prezantimet e tyre ishin të pajtimit se protestat janë e drejtë absolute në vendet demokratike. Po ashtu, kishte pajtim sa i përket kufizimit të tubimeve publike në emër të shëndetit publik për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit në kohën e pandemisë.

Një pikë tjetër interesante në diskutim ishte edhe dallimi në mes të shteteve autoritare dhe shteteve demokratike në menaxhim të pandemisë. Në këtë aspekt, mund të thuhet se kishte po ashtu një pajtim se shtetet demokratike janë duke menaxhuar më mirë këtë proces dhe shtetet si Suedia, Koreja Jugore janë përmendur si shembull karshi vendeve me regjime autoritare ose totalitare siç janë: Kina dhe Bjellorusia. Element tjetër i diskutuar ishte edhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme duke krahasuar shtetet demokratike me shtetet autoritare në këtë aspekt. Shtetet autoritare apo edhe totalitare sikur në rastin e Bjellorusisë gati se nuk kanë nevojë të shpallin gjendje të jashtëzakonshme pasi masat që përdor shteti në këtë rast janë aq shtrënguese sa që nuk ka vend për gjendje të jashtëzakonshme. Një gjendje e tillë në kohën e pandemisë edhe mund të shpallet nga vende demokratike por zakonisht nuk janë të preferuara pasi janë situata të cilat mundësojnë shkeljen e të drejtave të njeriut dhe në disa vende përdoren edhe si arsye të shtypur të drejtat e njeriut.

Për më tepër, rasti i Suedisë është duke u përmendur tani edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) si vendi shembull se si të kthehemi në normalitet apo të dalim nga kjo emergjencë. Qeveria në Suedi nuk ka aplikuar masa të forta apo shtrënguese por ka dhënë rekomandime të cilat janë zbatuar nga qytetarët për shkak të besimit që është ndërtuar me vite në mes të qytetarit dhe shtetit dhe kjo është një shembull i një demokracie të zhvilluar prej kohësh. Ky besim i ndërsjellë krijon avantazhe në menaxhimin e situatave emergjente sic është pandemia COVID-19, dhe tejkalimi i situatave të tilla është më i lehtë. Çështje tjetër e diskutuar ishte proporcionaliteti i masave në kufizimin e lirisë së tubimit edhe gjatë kohës së pandemisë. Në këtë rast, shembull është marrë Shqipëria e cila është duke aplikuar masën e sanksionimit në vlera të larta monetare gjë që e tejkalon qëllimin, pra nuk është proporcionale me “dëmin e shkaktuar” apo veprën e bërë.

Sa i përket raportit në mes të së drejtës së protestës dhe shëndetit publik, kishte po ashtu një pajtueshmëri se asnjëra nuk e përjashton tjetrën dhe që të dyja mund të shkojnë paralel. Në këtë mënyrë, protesta mund të bëhen përmes formave tjera, pra duke përjashtuar tubimet publike meqenëse kjo është me rrezik të lartë sa i përket shpërndarjes së virusit, mirëpo kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë e drejta e protestës është e mohuar. Nëse i referohemi edhe legjislacionit mbi tubimet publike, duhet thënë që kufizimi i kësaj lirie themelore të njeriut duhet të jetë i përkohshëm dhe në asnjë mënyrë nuk mund të kufizohet me vendime apo ligje pa një limit kohor. Pra, përkohshmëria e kufizimit të së drejtës së protestës, proporcionaliteti i masave kundrejt qëllimit ishin po ashtu dy elemente tjera rreth të cilave kishte pajtueshmëri në mes të pjesëmarrësve në këtë diskutim.

 https://d4d-ks.org/sallonet/e-drejta-e-qytetareve-per-protesta-demokratike-ne-kushtet-e-emergjencave-dhe-masave-shtrenguese/

Debati i plotë mund të gjindet këtu: 

Friedrich-Ebert-Stiftung 
Kosovo

Rr. Pashko Vasa 23
10000 Prishtinë
Republika e Kosovës

+381 (0) 38 600 108
info(at)fes-kosovo.org


Kthehu në fillim