25.11.2019

Punëtoria e planifikimit strategjik për Kongresin Nacional të Rinisë 2020

Këtë vit punëtoria e Planifikimit Strategjik për Kongresin Nacional të Rinisë 2020, u mbajt në Prevallë, Prizren nga data 21-24 nëntor 2019. Gjatë këtyre katër ditëve, një grup prej 25 të rinjësh nga organizata të ndryshme rinore dhe me mbështetjen e Fondacionit Friedrich Ebert, Zyra në Prishtinë, u bën bashkë për të reflektuar lidhur me Kongresin e fundit Nacional të Rinisë, si dhe për të zhvilluar ide të reja dhe aktivitete prioritare të rinisë për vitin 2020. Me energjinë e tyre pozitive, idetë e shkëlqyera dhe frymëzuese, fuqizimin e të rinjve dhe mendimin kritik, këta të rinj arritën të hartojnë një plan të përfunduar mirë për ngjarjet e ardhme të vitit 2020.

Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit gjashtë gra të reja nga Vullnetarët e Rinisë së Kombeve të Bashkuara - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), ishin pjesë e kësaj punëtorie. Prania dhe idetë e tyre ishin shumë të mirëseardhura nga të gjithë pjesëmarrësit.

Dita e parë u karakterizua me një reflektim të përgjithshëm nga të gjithë pjesëmarrësit për kongresin e kaluar, i cili u mbajt në shtator 2019. Gjatë këtyre reflektimeve u diskutua për organizimin e ngjarjes, temat kryesore të kongresit, aktivitetet e përfunduara, çfarë duhej të ishte bërë ndryshe ose në mënyrë më të mirë, dhe si këto arritje mund të ishin më të dukshme. Pastaj, u vazhdua më tej me ditën e dytë, ku tema kryesore kishte të bënte me konceptet themelore të planifikimit strategjik dhe të objektivave. Si rezultat, pjesëmarrësit patën mundësinë për të analizuar në mënyrë kritike dhe për të ndërtuar strategjitë themelore për ngjarjet e ardhshme, bazuar në katër fusha prioritare të kongresit: Arsimi, Jeta Shoqërore dhe Kulturore, Punësimi, dhe Pjesëmarrja e Vendimmarrja. Së pari, ideja e formimit të një strukture udhëheqëse të kongresit u ngrit si nevojë thelbësore për një funksionim më të mirë të kongresit. Prandaj u krijua një kornizë e kësaj strukture, ku u vendosën personat përgjegjës për secilën nga katër fushat prioritare të kongresit. Përveç këtyre grupeve, kjo strukturë përfshin edhe koordinatorin dhe një person që do të jetë përgjegjës për marrëdhëniet me publikun. Të ndarë në katër grupe kryesore, por edhe më shumë, pjesëmarrësit zhvilluan objektivat dhe aktivitetet e tyre kryesore për vitin e ardhshëm. Këto objektiva dhe aktivitete ishin të bazuara në nevojat themelore të të rinjve të Kosovës në komunitetin e tyre, duke filluar nga një sistem arsimor më i mirë, më shumë mundësi për punësim, ndërgjegjësim për rëndësinë e jetës shoqërore dhe kulturore dhe rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në vendimmarrje, veçanërisht kur bëhet fjalë për për vendimet që lidhen me ndarjen e buxhetit për rininë, ose hartimin e ligjeve dhe strategjive ligjore në lidhje me rininë.

Një temë tjetër e rëndësishme që u diskutua gjatë këtyre katër ditëve ishte edhe fakti i ftesës së hapur për organizata të tjera për t'u bashkuar me këto nisma. Pjesë e Kongresit të Parë dhe të Dytë kanë qenë më shumë se 200 përfaqësues të organizatave dhe qendrave rinore, sindikatave studentore dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Këtë vit, ne po synojmë të rrisim më tej bashkëpunimin tonë me organizatat e tjera joqeveritare dhe institucionet përkatëse.

Si përfundim, kjo punëtori katërditore rezultoi në zhvillimin e një strukture udhëheqëse të kongresit, vendosjen e personave përgjegjës për secilën nga fushat prioritare dhe zhvillimin e një plani strategjik për shenjëstrim të objektivave, dhe aktivitetet që do të organizohen gjatë vitit 2020. Natyrisht, si çdo vit, këto aktivitete do të kurorëzohen me ngjarjen kryesore të Kongresit Nacional të Rinisë, që do të mbahet në muajin maj ose qershor 2020.

Friedrich-Ebert-Stiftung 
Kosovo

Rr. Pashko Vasa 23
10000 Prishtinë
Republika e Kosovës

+381 (0) 38 600 108
info(at)fes-kosovo.org


Kthehu në fillim