05.08.2020

Si iu afrohen partitë politike votuesve?

Gjatë periudhës qershor – korrik, Platforma e Shoqërisë civile “Kosova që Duam” në Mitrovicë, ka zhvilluar një cikël të debateve, me temën: “Si iu afrohen partitë politike votuesve”-,

ndërsa folës mysafirë ishin: Nazan Kërveshi – Drejtoreshë e Departamentit për Mirëqenie Sociale, VV; Nexhat Qubreli – Asambleist në Kuvendin Komunal, AKR; Vesa Broja – Asambleiste në Kuvendin Komunal, PDK; Safet Kamberi – Kryetar i Kuvendit Komunal, LDK.

Këto debate janë ngritur për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve, studentëve dhe aktivistëve nga shoqëria civile dhe të anëtarëve të partive politike.  

Folësit mysafir kanë debatuar me pjesëmarrësit, duke dhënë edhe përgjigjet e tyre në pyetjet, si:

Cili është roli dhe rezultatet e Kuvendit Komunal në adresimin e nevojave dhe shqetësimeve të qytetarëve në Mitrovicë? Si i ruajnë partitë politike raportet me qytetarët? Si i adresojnë ato shqetësimet e qytetarëve në programet e veta politike? Sa u pëmbahen ato programeve ku bëhet fjalë për të udhëhequr me institucione? Sipas perceptimit të tyre, cilat janë problemet që duhet të zgjidhen urgjentisht? Cili është niveli i demokratizimit nëpër partitë politike?

-          Përfaqësimi i qytetarëve në institucionet lokale, nuk është në nivelin më të mirë – këtë e thanë folësit mysafirë në këto debate. Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së, të cilat kanë anëtarë të vet në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, theksuan se: kur je në institucione si opozitë, gjithmonë gjen arsye për të kritikuar, por e vërteta është se qeveria lokale nuk po e bën punën më së miri.   

-          Nga këto katër debate me përfaqësues të partive të ndryshme politike, ne mund të konkludojmë se, që të gjitha pajtohen se kur bëhet fjalë për Mitrovicën, problemet kryesore vazhdojnë të mbeten në rrafshin e zhvillimit ekonomik, arsim, kulturë dhe në sport. Kjo gjendje, në mënyrë të qartë paraqitet me faktin se numri më i madh i përfituesve të asistencës sociale në Kosovë janë nga Mitrovica.

-          Disa nga sukseset për të cilat kishte pajtueshmëri nga të gjitha partitë politike janë si vijon: Miratimi i Rregullores së re për bursat e studentëve; Statuti i komunës, heqja e Taksës  komunale për bizneset.  

-          Kur flitet për sfidat e zbatimit të politikave të parapara nga strategjitë e ndryshme dhe planet e veprimit, është theksuar se shpesh ka mungesë të vullnetit dhe se problemi kryesor është financimi i këtyre politikave (p.sh. Strategjia për Barazi Gjinore dhe Plani i Veprimit, dhe jo vetëm kjo) dhe ndarja e përgjegjësive dhe e rolit të secilit departament në zbatimin e një politike të caktuar.  

-          Për shkak të gjendjes së pandemisë me Kovid-19, mbledhjet dhe përgatitjet për zgjedhjet në nivelin lokal janë shtyrë deri në muajin shtator, nëse gjithçka shkon si duhet me menaxhimin e gjendjes me pandemi.

-           Folësit mysafirë, përfaqësuesit e partive politike, kanë deklaruar se në partitë e tyre politike zhvillohet demokracia dhe debatet dhe se kjo ofron mundësi për ta që të mendojnë jashtë kornizës dhe komunikojnë me qytetarët të cilët i kanë bindjet e njëjta politike dhe vullnetin që t’iu bashkohen atyre.    

-          Kur bëhet fjalë për qytetarët si votues, ata konsiderojnë se ndërgjegjësimi dhe kërkesat e qytetarëve janë rritur dhe mendojnë se vota e qytetarit do të sjell ndryshime në zgjedhjet që po afrohen.  

  •  

Friedrich-Ebert-Stiftung 
Kosovo

Rr. Pashko Vasa 23
10000 Prishtinë
Republika e Kosovës

+381 (0) 38 600 108
info(at)fes-kosovo.org


Kthehu në fillim